Punëtorët teknikë të 13 shkollave fillore në Prishtinë kanë nisur grevën të mërkurën si reagim ndaj mosekzekutimit të pagave të muajit të kaluar, raporton Ekonomia Online .
Sipas përfaqësuesve sindikalë, vonesat në pagesa kanë detyruar punëtorët të ndërmarrin këtë veprim, ndërsa paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet edhe në shkollat e mesme nëse problemet nuk zgjidhen.
Sindikata kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të pagave, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e pagës minimale në 600 euro.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, tha se për këtë vendim është njoftuar edhe Komuna e Prishtinës.
“Po realisht mungesa e pagës për shkollat fillore, mungesa e pagës për muajin qershor, është një vendim i punëtorëve të cilët në mungesë të kësaj page kanë qenë të obliguar që të hyjnë në grevë, edhe pse pjesa dërrmuese e punëtorëve janë në pushim. Por, megjithatë është marrë vendimi që ata të cilët janë në procesin e punës, ata normal që do të shkojnë në vendet e tyre të punës dhe nuk do të kryejnë asnjë shërbim. Është njoftuar Komuna e Prishtinës, pronari i kompanisë, Drejtoria e Arsimit dhe të gjithë këta. Në një marrëveshje që kemi pasur me nënkryetarin e komunës dhe akterët, bashkëpunëtorët e nënkryetarit, është garantuar që nuk do të kemi telashe sepse ka pasur një shkëputje për pagat e punëtorëve për qershor”, u shpreh ai.
Azemi deklaroi se zyrtarët e Komunës së Prishtinës i kanë premtuar se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen më së largu deri të hënën.
“Ata nuk i kanë qëndruar prapa vendimit që kemi marrë dhe është kjo. Përndryshe, unë dje kam kontaktuar me persona zyrtarë të Komunës së Prishtinës, më kanë premtuar se pagat e punëtorëve do të përcillen tek pronari i kompanisë për sot, eventualisht më së largu deri të hënën. Dhe ne normal që do t’i kthehemi rrjedhës së punës vetëm në atë moment kur na dalin pagat në llogaritë tona”, tha ai.
Mirëpo, sipas Azemit, problemi nuk do të përfundojë me shkollat fillore, pasiqë mund të vazhdojë edhe me shkollat e mesme.
