Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj ushtrueses së detyrës së ministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputetit të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, në rastin ku po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, në seancën e së enjtes u vendos që të bëhet precizimi i aktakuzës për veprimet që pretendohet se janë kryer nga secili i akuzuar.
Ndërkaq, lidhur me seancën e radhës, Zyba kërkoi që të caktohet pas 45 ditësh, për shkak se do të fillojë procesi zgjedhor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë dhe janë administruar provat materiale.
Ish-deputeti Zyba tha se e konteston procedurën e deritanishme në këtë process, duke theksuar se konsideron që vepra që iu vihet në barrë është e pabazuar.
“Konsideroj se kjo vepër që përpiqet të adresohet tek ne me përpjekjen për të vënë masë, është e pabazuar. Kontestoj procedurën e deritashme, në veçanti mungesën e ekspertizës për provat në thonjëza të ngritura nga elementi që cilësohet armë deri te mënyra e përdorimit të personave, ndaj të cilëve dyshohet se është përdorë, aktivitet në vete dhe qëllim përfundimtar, dhe besoj se gjatë spjegimit do t’i ilustrojmë këto që po deklaroj”, tha Zyba.
Mbrojtësi i Zybës sipas detyrës zyrtare, avokati Hasan Jashari propozoi që në seancat në vijim të nxjerret ekspertizë nga eksperti i lëmisë përkatëse për të vërtetuar faktin nëse tymi që është përdorë në seancë në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018, hyn në grupin e armëve.
“Pasi që në shkresat e lëndës kemi vetëm një raport që vetëm bëhet interpretimi i dispozitës ligjore”, tha Jashari.
Për këtë, prokurori Valdrin Krasniqi deklaroi se për raportin e ekspertit të hartuar nga grupi i ekspertëve, Gjykata ka vendosur me aktvendimin e 6 qershorit 2024, me të cilin ka refuzuar kërkesën e avokatëve- që si pjesë e këtyre kërkesave ka qenë që të refuzohet administrimi i ekspertimit si provë.
Kurse, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit, avokati Lavdrim Salihu tha se kjo aktakuzë është e mangët pasi nuk kemi konkretizim të veprimeve të secilit të akuzuar. Tha se e mbrojtura e tij akuzohet në cilësinë e deputetes se ka kryer veprime si në dispozitiv, por se sipas tij, cilësimi i detyrës që ka ushtruar ajo i jep konotacion politik.
Në anën tjetër, gjyqtari Sadikaj lidhur me kërkesën për ekspertizë dhe të precizohet aktakuza sa i përket veprimeve konkrete të të akuzuarve- sidomos koha e kryerjes së veprës së mundshme penale, kërkoi mendimin e prokurorit.
Lidhur me këtë, prokurori Krasniqi ndër të tjera deklaroi se e rezervon të drejtën që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të bëhet precizimi i aktakuzës.
Seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku prokurori Krasniqi listoi provat në këtë rast, ndër to: raportin e ekspertit, vendimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raportin informues, raportin e vendit të ngjarjes së bashku me listën e dëshmive, si dhe foto-albumin me fotografi nga vendi i ngjarjes dhe CD-të me video-incizime.
Më pas, avokati Salihu deklaroi se raporti i ekspertit duhet të shpallet si provë e papranueshme dhe e paartikulueshme, për faktin se nuk dihet përpiluesi i tij. Andaj, edhe deklaroi se i kundërshton këto prova.
Për raportin e kundërshtuar nga avokati Salihu, prokurori Krasniqi deklaroi se i përmban të gjitha elementet të cilat duhet t’i përmbajë një raport, duke konsideruar se ky raport është mjaftueshëm i qartë dhe se për vlefshmerinë e tij si provë materiale gjykata ka vendosur në qershor 2024.
