Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se kthimi i liderëve të kësaj partie nga Haga është në interes të Republikës së Kosovës, duke theksuar se vendi ka nevojë për vizionin dhe përvojën e tyre politike.
Sipas Behramit, rikthimi i tyre do të ndikonte në balancimin e skenës politike në vend, të cilën ai e cilësoi si të trazuar dhe në mungesë të qeverisjes efektive.
Ai shtoi se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme dhe se prania e ish-udhëheqësve do të kontribuonte në stabilizimin e situatës.
“Kthimi i liderëve të PDK-së nga Haga është në interes të Republikës së Kosovës përtej partive politike. Kosova si kurrë më parë ka nevojë për kthimin e tyre në Kosovë, ka nevojë për vizionin e tyre, ka nevojë për trashëgimin e tyre dhe kthimi i tyre padyshim që do ta balanconte krejt skenën politike në Republikën e Kosovës dhe do ta kthente në një gjendje normale këtë skenë e cila është e trazuar dhe në mungesë të vizionit dhe në mungesë të dëshirës për të qeverisur ne po hyjmë prej një krize në një krizë tjetër”, deklaroi ai në tëvë1.
Duke folur për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Behrami u shpreh se pret që vendimi të merret brenda afatit tre mujor të paraparë, respektivisht deri më 18 maj.
