Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak dy mjekëve me inicialet V.R. dhe E.S., të cilët dyshohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se vendimi është marrë më 10 korrik 2026, pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nuk kishte parashtruar kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ose zëvendësimin e saj me ndonjë masë tjetër.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë duke vendosur sipas detyrës zyrtare dhe në mbështetje të nenit 181, paragrafët 1 dhe 7, lidhur me nenin 188, paragrafi 1 të Kodit Nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, më 10 korrik 2026 ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurve V.R. dhe E.S. u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Gjykata ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka sqaruar se nuk ka kërkuar vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, pasi kanë pushuar kushtet ligjore për një kërkesë të tillë.



