Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale hapën një tjetër front mosmarrëveshjesh mes politikës kosovare dhe aleatëve perëndimorë.
Këtë herë, përplasjet nuk kufizohen te qeveria e Albin Kurtit.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila për vite e kritikoi kryeministrin për tensionet me partnerët ndërkombëtarë, tani kundërshton publikisht qëndrimet e diplomatëve perëndimorë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Analistët dallojnë në vlerësimet nëse politika kosovare po bëhet më e gatshme t’i kundërshtojë qëndrimet e aleatëve perëndimorë.
Daniel Serwer, nga universiteti “Johns Hopkins” në Uashington, sheh një prirje të tillë, të cilën e lidh me përpjekjet në rritje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës.
“Po, mendoj se kjo po bëhet politikisht më e pranueshme, e nxitur nga një interesim gjithnjë e më i madh për të pohuar sovranitetin”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Ai i sheh mosmarrëveshjet për Gjykatën Speciale në një kontekst më të gjerë, ku përfshin edhe përplasjet e mëhershme të qeverisë “Kurti” me aleatët lidhur me veriun e Kosovës.
“Sipas mendimit tim, PDK-ja ka arsye të mira për ta sfiduar Gjykatën Speciale. Nuk është e habitshme që po e bën këtë – së bashku me Vetëvendosjen”, thotë ai.
Por, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), nuk i sheh kundërshtimet publike të përfaqësuesve të PDK-së si dëshmi të ndryshimit të orientimit të politikës së jashtme të Kosovës.
Sipas tij, përgjegjësinë për këtë politikë e ka Qeveria, ndërsa deklaratat e një partie opozitare nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të shtetit.
“Derisa Qeveria nuk merr hapa konkretë për zbatimin e ligjit, situata do të mbetet në pikën e përplasjes verbale. Në momentin kur Qeveria ndërmerr veprime për zbatimin e ligjit, ky do të jetë një hap drejt përplasjes”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë i nxiti mosmarrëveshjet e reja?
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Shtetet e Bashkuara kërkuan respektimin e tij dhe shmangien e retorikës nxitëse, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjykatës.
Kryeministri Kurti e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme”, por reagimet më të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve perëndimorë erdhën nga PDK-ja, e cila ishte në pushtet kur u krijuan kushtet për themelimin e gjykatës në vitin 2015.
Kryetari i saj, Bedri Hamza, u kërkoi ambasadorëve të vendeve aleate të kontribuojnë në, siç tha ai, pasqyrimin e drejtë të situatës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi më tej, duke kritikuar direkt ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, pasi ai theksoi se dënimet në Hagë lidhen me përgjegjësinë penale individuale.
“Mos na qitni hi syve”, shkroi Çitaku në rrjetet sociale, duke pretenduar se UÇK-ja ishte cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se aktgjykimi nuk mund të reduktohej në përgjegjësinë e katër individëve.
Trupi gjykues konstatoi pjesëmarrjen e katër të akuzuarve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.
Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja.
Ndryshimet parashohin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.
Bashkimi Evropian deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, si dhe garantimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.
Por, deputeti i PDK-së dhe iniciuesi i ndryshimeve, Përparim Gruda, e kundërshtoi këtë vlerësim.
“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë obligim që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai më 7 tetor.
Çitaku tha se “është normale” që me aleatët të ketë mospajtime.
“Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, tha ajo.
Nga përplasjet për veriun te Gjykata Speciale
Mospajtimet me aleatët perëndimorë, që luajtën rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe mbështetën shtetndërtimin e saj, nuk janë të reja për qeverinë “Kurti”.
Në vitet e fundit, ato u përqendruan kryesisht te veprimet e institucioneve të Kosovës në veriun me shumicë serbe – përfshirë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në vitin 2023 dhe mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia.
Qeveria i arsyetoi këto veprime me ushtrimin e sovranitetit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit, ndërsa partnerët perëndimorë kritikuan mungesën e koordinimit dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.
Vetë Kurti këmbëngulte se marrëdhëniet me aleatë nuk nënkuptojnë pajtim për çdo çështje.
Por, mosmarrëveshjet shkuan përtej shkëmbimit të deklaratave, duke sjellë edhe pasoja diplomatike.
Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, duke pezulluar vizitat e nivelit të lartë dhe pjesë të bashkëpunimit financiar.




