Gjykata Kushtetuese do të organizojë aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, të mërkurën, më 8 prill, në shënim të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, miratuar më 9 prill të vitit 2008.
“Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni ”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit, organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë.
