Seanca dëgjimore ndaj këngëtarit të njohur Besart Kelmendi (Gjesti) është zhvilluar sot nën masa të rrepta sigurie, ku kjo mund edhe të përshkruhet si e pazakontë për një proces të tillë, shkruan Gazeta Demos.
Kjo senacë do të fillonte nga ora 09:30, ku ambientet e Gjykatës ishin të kontrolluara nga sigurimi dhe Policia e Kosovës.
Përveç kësaj, gazetarëve nuk iu lejua qëndrimi as në korridoret e brendshme të objektit.
Gjithashtu mediave nuk iu lejua as të merrnin pamje në momentin kur Gjesti do të sillej në sallën e gjyqit.
Edhe më e pazakontë ishte mënyra se si u trajtua paraqitja e vetë Gjestit për arsye se këngëtari dhe njëherit fituesi i BBVA, Gjesti nuk u soll në sallën e gjyqit në prani të publikut apo mediave, duke e mbajtur të gjithë procesin larg syrit të opinionit.
Kjo krijoi një situatë me paqartësi rreth asaj që po ndodhte anipse seanca ishte e mbyllur për media.
Në mungesë të transparencës së zakonshme për publikun, korridoret e gjykatës mbetën pothuajse të zbrazëta, ndërsa jashtë ndërtesës prisnin gazetarë që tentonin të kuptonin se çfarë po ndodhte me këngëtarin.
Kjo mënyrë ”fshehurazi” e të sjellurit të Gjestit nga organet kompetente në sallën e gjyqit ka ngritur pikëpyetje të shumta, ndërsa rasti i tij po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe në opinionin publik.
Në objektet e Gjykatës u pa babai i Gjestit dhe menaxheri i label-it të tij, Bonart Ajvazi.
Ndryshe Gjesti është arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, ku një gjë e tillë ditë më parë u konfirmua për Gazetën Demos edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën Mehmet Isahi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Pllana për Demos.