Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, e ka cilësuar si brutal vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se ai nuk përputhet me bindjen e Aleancës dhe të popullit të Kosovës për luftën çlirimtare.
I ftuar në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, Gjini ka thënë se AAK-ja e ka mbështetur ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, si dhe procesin në tërësi, por ka theksuar se nuk mund të pajtohet me cilësimin e luftës së UÇK-së në këtë mënyrë.
Ai ka kërkuar angazhim shtetëror për shfrytëzimin e të gjitha mundësive juridike dhe institucionale, me synimin që vendimi të korrigjohet në procedurën e Apelit.“Aleanca e ka mbështetur ligjin i cili është dakordu në Kuvend në atë kohë, po ashtu qëndrimi ynë ka qenë i qartë që prej fillimit që vendimi i Dhomave të Specializuara ka qenë vendim brutal nuk mundemi me u pajtur me një cilësim të tillë të luftës tonë, e kemi mbështet gjithë këtë proces e dimë që mundet me pas vështirësi ligji por ne insistojmë që Kosova duhet me punu në të gjitha pistat e mundshme, të ketë angazhim shtetëror që të paktën në Apel me u korrigju plotësisht ky vendim për shkak që besoj që në Kosovë të gjithë e dim që Aleanca beson fuqishëm në bindjen tonë e të gjithë popullit që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe dënimi i krerëve të UCK-së në këtë mënyrë qetë hijë të keqe dhe ka dëme për Kosovën”, u shpreh Gjini.

