Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë ka vendosur të shkurtojë kohëzgjatjen e orëve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta.
Drejtori i Arsimit në Gjakovë, Hysen Brahimaj, tha për RTK-në se vendimi është marrë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve adekuate në shumicën e objekteve shkollore.
Sipas tij, shumë shkolla nuk janë të pajisura me sisteme klimatizimi, gjë që e vështirëson zhvillimin normal të procesit mësimor gjatë ditëve me temperatura të larta.
“Për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në rajonin tonë dhe paralajmërimit për temperatura të larta, për shkak të shëndetit të fëmijëve… shumica e shkollave nuk i kanë kushtet që ne i kemi si qëllim për mbarëvajtjen e orës mësimore si duhet. Të gjitha shkollat nuk kanë klima në objektet e tyre, andaj kemi marrë një vendim prej 45 minutave orët të zgjasin 40 minuta”, tha Brahimaj.
Ai theksoi se siguria dhe shëndeti i nxënësve mbeten prioritet për institucionet arsimore, ndërsa shtoi se aktualisht nuk është vlerësuar e nevojshme ndërmarrja e masave të tjera.
“Siguria edhe shëndeti i fëmijëve është primare për neve, andaj jemi munduar me u përshtat. Për momentin nuk e shohim të arsyeshme ndonjë masë tjetër, mirëpo këtë kemi pasur mundësi edhe e kemi bërë për shkak të shëndetit të fëmijëve”, u shpreh ai.
