Analisti dhe gazetari Vehbi Kajtazi ka folur për periudhën kur një numër i qytetarëve nga Kosova iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak.
Kajtazi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, kujtoi kohën kur Lavdrim Muhaxheri, një prej figurave kryesore të ISIS-it nga Kosova, u shfaq për herë të parë publikisht në një video duke bërë thirrje ndaj të rinjve që të bashkohen me ISIS në Siri dhe të luftojnë atje.
Ai tregoi se ka qenë ndër të parët që ka shkuar në shtëpinë e tij, pas asaj videoje të publikuar.
“E keqja është që shumë shqiptarë të Kosovës kanë qenë pjesë e këtyre organizatave terroriste. Madje, për kokë banori, Kosova ka kontribuar më së shumti me terroristë në Siri dhe Irak. Mua më kujtohet, kam qenë në Koha Ditore, duke punuar, duke raportuar, kur doli Lavdrim Muhaxheri për herë të parë me atë videon famëkeqe. Të nesërmen kam shkuar në shtëpinë e tij. Kam takuar babain e tij, kam zhvilluar një intervistë me të, derisa ka ardhur vëllai i tij dhe e ka ndërprerë intervistën. Edhe gjuha e tij më ka bërë shumë përshtypje, sepse ai i bërtiste babait të vet, i thoshte, ‘Mos fol asnjë fjalë!’, dhe pastaj më drejtohet mua. ‘Më falni për gjuhën që po përdor, por magjupi me na ardhë në shtëpi, me pi një kafe e me dalë, çu dil prej këtu’. Aso kohe situata ka qenë krejt ndryshe, shumë e rëndë. Babai i tij u soll shumë mirë, ishte një njeri i lënduar që i biri i tij ishte bërë terrorist në Siri, i cili më vonë u vra nga Amerika, Lavdrimin e kanë vrarë ushtria amerikane”, tha Kajtazi në Rubikon.
Kajtazi kujtoi edhe një shkrim që kishte botuar asokohe për vdekjen e Lavdrim Muhaxherrit.
Dhe unë atëkohë kam pasur një shkrim, me titull ‘Gëzuar vdekjen tënde, Lavdrim’. Shkrimi është goxha i gjatë, unë mendoj edhe sot njësoj si atëherë, kushdo që i është bashkuar organizatave në Siri, Al Nusras edhe ISIS-it, është terrorist edhe sot, dhe ne duhet me i trajtu të tillë”, u shpreh Kajtazi