Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ministria e Jashtme tha se Gërvalla dhe Radman diskutuan për “hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve në proces, nga njohja e ndërsjellë e patentë-shoferëve, deri te bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes civile”.
MPJ tha se palët u pajtuan “mbi rëndësinë e nxitjes së investimeve dhe krijimit të një Komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, në mënyrë që miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të reflektohet drejtpërdrejt në zhvillim konkret për qytetarët”.
