Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se “Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.
Gërvalla ka thënë se Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit.
“Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.
