Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit Sreqko Spasiq, është tërhequr nga gara.
Spasiq, i cili vinte nga radhët e Nismës Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, iu bashkua Listës Serbe.
Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pavarësisht kësaj, kjo nuk do të ndikojë në mbajtjen e rundit të balotazhit më 9 nëntor.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësi Valmir Elezi, i cili tha se afati i përcaktuar për tërheqjen e kandidatëve nga gara ishte 2 shtatori.
“Tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë, nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore. Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e 2 kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë”, tha Elezi