Për herë të dytë brenda të njëjtit vit, shumica e subjekteve politike në Kosovë, do të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore në kërkim të mbështetjes së votuesve.
Nën një situatë politike të paqartë për shkak të moskonstituimit dhe formimit të institucioneve qendrore, si Kuvendi dhe Qeveria, subjektet politike kësaj radhe do të kërkojnë mbështetjen për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve në nivelin lokal, tridhjetë e tetë kryetarët e komunave dhe 942 anëtarët e kuvendeve komunale.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi , ka shpjeguar për KosovaPress, se fushata zgjedhore për 93 subjektet politike me mbi 5 mijë e 600 kandidatë, do të zhvillohet nga sot deri në orën 06:59 të datës 12 tetor.
“Për 30 ditë me radhë, subjektet politike do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Kosovës, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në shkurt të këtij viti, një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha Elezi.
Ai ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.
