Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së FSK-së, kryesuar nga zëvendës Komandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Valdet Berisha, realizuan vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të saj në FARSH.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij, ku u zhvilluan takime profesionale të fokusuara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe emergjencave civile.
Delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe të vizitojë kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile, duke u informuar në detaje mbi organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe menaxhimit të situatave emergjente.
