Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka nisur konsultimet politike për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, duke zhvilluar takime me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kurti u takua fillimisht me Hamzën në orën 09:00, ndërsa pasditen e së premtes, në orën 18:00, zhvilloi takim me Abdixhikun, i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Pas takimit me kreun e PDK-së, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, u shpreh ai.
Kurti bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me subjektet e tjera politike, ndërsa njoftoi se do të takohej edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
“Duhet të jemi optimistë në rrugën përpara. Sot pasdite do ta takoj edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe shpresoj që tri partitë t’i mbledhim deputetët dhe t’i konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.
Sipas Kurtit, për zgjedhjen e presidentit nevojitet mbështetja e 80 deputetëve, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Ai vlerësoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numra të mjaftueshëm për ta realizuar këtë proces.
Ai shprehu keqardhje për refuzimin e një takimi nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
“Kur i mblodha numrat e deputetëve nuk thashë plus shtatë, pasi kryetari i Aleancës nuk e ka parë të domosdoshme dhe të rëndësishme të takohet me mua. Mendoj që do të duhej të takohej. Nuk është në rregull që një parti e respektuar si AAK të mos takohet me mua. Andaj më duhet të them 93 në vend që të them 100 deputetë”, deklaroi Kurti.
Kreu i LVV-së theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet një dakordim më i gjerë politik.
“Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve, kam përgjegjësi për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, theksoi ai.
Hamza: PDK mbetet në opozitë
Pas takimit me Kurtin, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se partia e tij do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati.
Hamza tha se takimi u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa rikujtoi se PDK në zgjedhje ka garuar me një program të fokusuar në ekonomi, mirëqenie sociale, energji dhe infrastrukturë.
“Posa e përfunduam takimin me Kurtin. PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike”, tha Hamza.
Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.
“Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.
Hamza tha se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunim mes partive.
