Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora, i cili ka nisur më 6 maj, po vazhdon pa probleme dhe do të përfundojë më 17 maj. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për lajmi.net se deri më tani nuk është evidentuar asnjë problem në funksionimin e platformës elektronike për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.
Sipas tij, funksionalizimi i kësaj platforme ka lehtësuar dukshëm procesin e regjistrimit, si për KQZ-në, ashtu edhe për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
“Procesi i votimit të votuesve jashtë Kosovës, i cili ka filluar më 6 maj, është duke vazhduar dhe do të përfundojë më 17 maj. Deri më tani nuk ka pasur nga ana jonë ndonjë evidentim të ndonjë problemi gjatë funksionimit të platformës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Në përgjithësi, funksionalizimi i kësaj platforme ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë punën e KQZ-së për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, por po ashtu edhe vetë shtetasit e Kosovës që janë jashtë vendit mund të aplikojnë me lehtësi të madhe për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në vendin tonë”, ka deklaruar Elezi.
