Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme ditëve të fundit. Përfaqësuesit e naftëtarëve të Kosovës thonë se situata e tensionuar në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ngushtica e Hormuzit ndikojnë në tregjet globale, duke reflektuar edhe në çmimet lokale.
Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme ditëve të fundit. Çmimet që sot sillen përafërsisht në Kosovë janë: dizeli prej 1.40 euro deri në 1.60 euro, kurse benzina prej 1.27 euro deri në 1.39 euro, bëri të ditur për RTKlive Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Kosovës.
Berjani ka thënë se dje çmimi i furnizimit me shumicë ka qenë 1.53 euro.
Ai shtoi se çmimet e derivateve kanë qenë të qëndrueshme për tre muaj dhe nuk ka pasur lëvizje në bursë.
“Lufta në Iran, rritja e tensioneve dhe rreziku i ndërprerjes së prodhimit, si dhe ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë, mund të ndikojnë në tregjet globale. Çdo problem në këtë korridor reflektohet edhe te ne në Kosovë. Ku më parë kalonin qindra anije në ditë, tani nuk kalojnë më shumë se 4–5 në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, theksoi Berjani.
Ai gjithashtu theksoi se qytetarët nuk kanë nevojë për panik, pasi derivate ka mjaftueshëm në Kosovë, dhe shpresohet se do të arrihet një marrëveshje paqeje që do të stabilizojë tregun e naftës në të gjithë botën. Sipas tij, qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmime më të lira në rajon.
“Stabilizimi i tregut të naftës bëhet vetëm kur ndalet lufta. Ai gjithashtu varet nga vendimet ndërkombëtare, përfshirë rolin e presidentit Donald Trump”, theksoi Berjani.
