Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca e radhës ndaj Ramadan Morinës, të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës.

“Nuk e pranoj fajësinë se prej majit ’98 deri më ’99 fare s’kam qenë në Kosovë. E kam dëshminë”, pati deklaruar Morina në seancën fillestare ndaj tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 17 dhjetor 2025, Ramadan Morina akuzohet se gjatë periudhës kohore 1998 -1999, në kohën e luftës në Kosovë, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.