Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për çështjen e rritjeve të çmimeve.
Ai tha se Kosova po përballet me krizë ekonomike dhe se mund të ballafaqohet me sfida të mëdha me rezervat e naftës.
“Pra, nëse ne do të pajtoheshim me çështjen që kriza ekziston tashmë, do të duhej të kalonim në etapën tjetër: si ta menaxhojmë atë, kush duhet ta menaxhojë atë, mbi cilën bazë ligjore dhe institucionale duhet menaxhuar krizën. Krizën s’mund ta mohojmë, ajo është në të gjitha linjat e furnizimit, po edhe po reflekton me një çmim jashtëzakonisht të lartë në Kosovë, veçanërisht sepse ne këtu e shohim, këtu e ndiejmë, këtu e prekum dhe këtu janë refleksionet e saj në jetën ekonomike tonë. Dhe nëse pajtohemi që kriza tashmë është këtu, ne duhet të marrim hapat. Çka? Për të marrë hapa institucionalë, në radhë të parë është përgjegjësia e qeverisë. Qeveria duhet të hartojë politika afatshkurtra, afatmesme apo politika emergjente. E gjë që deri sot nuk kemi asnjë hap konkret, asnjë ndërmarrje, iniciativë konkrete që institucionet e qeverisë ta ndërmarrin për me kalu apo me u përgatit për sfidën. Sepse besoj dhe tashmë jemi të informuar të gjithë që kjo krizë është fillat e saj të parë dhe mund të na përcjellë edhe më gjatë, dhe mund të ballafaqohemi me sfida shumë më të mëdha me rezervat e naftës si shtet“, u shpreh ai.
