Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat .
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic , ka reaguar deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, i cili thotë se qeveria ka harruar qëndrimet kundër Zajednicës, strukturave paralele dhe negociatave pa kushte, duke e zëvendësuar këtë me një agjendë që favorizon gradualisht autonominë serbe në Kosovë.
“Albin Kurti erdhi në pushtet me parulla dhe strategji për bashkim kombëtar; kundër Zajednicës, kundër strukturave paralele dhe kundër negociatave pa kushte, pa u zbardhur më parë çështja e të zhdukurve, e të tjera. Sot duket se ai i ka harruar këto qëndrime, edhe premtimet e tij. Në vend të tyre, po shohim kalimin e plotë drejt një agjende tjetër, të cilën po e zbaton hap pas hapi. Kjo, në thelb, paraqet vazhdimin de jure të jetësimit të autonomisë serbe në Kosovë. Pikërisht kjo është edhe thelbi i autonomisë që buron nga Marrëveshja e Ohrit: vetëmenaxhimi në fusha të caktuara si arsimi, shëndetësia, sistemi energjetik (p.sh. Elektroserver), çështjet e dokumenteve dhe fusha të tjera që mund të dalin në vazhdim”, u shpreh Shala.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës në negociatat me Serbinë dhe theksoi se vendi po hyn në vitin e dytë pa institucione funksionale.
