Deputetja e rizgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës do të nevojitet bashkëpunim dhe konsensus politik, duke shprehur pritjen që opozita të luajë rol konstruktiv në këtë proces.
Ajo tha se LVV-ja edhe në proceset e kaluara të formimit të institucioneve ka ndërmarrë veprime konkrete dhe se edhe kësaj radhe do të ketë diskutime me subjektet politike për hapat e mëtejmë.
“LVV edhe në proceset e kaluara kur kemi pasur të bëjmë me formimin e institucioneve ka pasur veprime konkrete. Te çështja e presidentit sigurisht që do të ketë nevojë për bashkëpunim. Unë besoj shumë që opozita do të ketë një rol konstruktiv dhe ne e kemi thënë prej fillimit se për çështjen e presidentit duhet konsensus”, ka deklaruar Fejza në Tëvë1.
Sipas saj, në ditët në vazhdim pritet të zhvillohen takime dhe bisedime konkrete lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për proceset politike në vend.
