I dyshuari për spiunazh Fatmir Sheholli në gjendje të rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK
Fatmir Sheholli është transferuar në gjendje të rënduar shëndetësore nga Qendra Spitalore në Gjilan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, i cili tha se aktualisht Shehollit po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Sheholli është arrestuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”, bazuar në nenin 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.