Familjet dhe industritë e Europës pritet të përballen me të paktën një tjetër vit çmimesh të larta të gazit, edhe nëse lufta në Iran përfundon dhe dimri rezulton i butë. Shkak është rënia e rezervave të gazit në nivele minimale historike dhe nevoja për t’i rimbushur ato gjatë vitit të ardhshëm, raporton Reuters.
Çmimet referencë të gazit në Europë janë rritur me më shumë se 150% këtë vit, pasi ndërprerjet e transportit përmes Ngushticës së Hormuzit kanë bllokuar pothuajse 20% të eksporteve globale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pjesa më e madhe e të cilave është e destinuar për tregjet aziatike.
Megjithëse SHBA-ja, Kanadaja dhe Nigeria kanë rritur eksportet, mungesa e LNG-së nga Lindja e Mesme ka intensifikuar konkurrencën për furnizimet e disponueshme, duke penguar përpjekjet e Europës për të rimbushur rezervat gjatë verës.
Analistët parashikojnë që rezervat europiane të gazit të jenë të mbushura në masën 75-78% deri më 1 nëntor, rreth 10 pikë përqindjeje nën mesataren pesëvjeçare.
Edhe në kushtet e një dimri me temperatura normale, rezervat në Europën Veriperëndimore mund të bien në rreth 20% në fillim të prillit. Nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar, presioni për rimbushjen e rezervave gjatë vitit 2027 mund të rritet më tej.
“Nuk është vetëm dimri i ardhshëm gjatë të cilit do të kemi një situatë të vështirë furnizimi, por rrezikojmë që kjo situatë të vazhdojë edhe gjatë verës së ardhshme”, tha Yuriy Onyshkiv, analist i LSEG.
Rreziku i rritjes së mëtejshme të çmimeve
Sipas ekonomistit të energjisë në ABN Amro, Moutaz Altaghlibi, Europa nuk po përballet aktualisht me mungesë të drejtpërdrejtë të furnizimit, por rezervat janë të pamjaftueshme për të përballuar ndërprerje të mundshme.
Zakonisht, rezervat mbulojnë 25-30% të konsumit dimëror të gazit në BE, ndërsa pjesa tjetër sigurohet kryesisht përmes gazsjellësve dhe importeve të LNG-së, veçanërisht nga Norvegjia dhe SHBA-ja.
Në rast të një dimri të ftohtë, rezervat mund të bien në 10-15%, nivel që do ta vështirësonte ndjeshëm rimbushjen e tyre gjatë vitit të ardhshëm.
Megjithëse analistët nuk presin rikthimin e çmimeve në nivelet ekstreme të krizës energjetike të vitit 2022, kur ato tejkaluan 350 euro për megavatorë, një rritje mbi 100 euro/MWh, ose rreth 25% mbi nivelet aktuale, konsiderohet e mundshme.
