Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar rastin e parë me Virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) për këtë vit në Kosovë.
Sipas njoftimit të IKShPK-së në Facebook, rasti është konfirmuar më 7 gusht 2026 nga Laboratori i Mikrobiologjisë dhe bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës.
Pacienti është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas institutit, gjendja e tij është stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka pasur udhëtime jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullimi i virusit.
Virusi i Nilit Perëndimor është sëmundje sezonale që shfaqet kryesisht gjatë muajve të verës dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. IKShPK ka bërë të ditur se deri më 5 gusht 2026, raste të këtij virusi janë raportuar në disa vende të Evropës, përfshirë Italinë, Greqinë, Spanjën, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Francën dhe Gjermaninë.
Në Kosovë, gjatë periudhës 2021–2025 janë regjistruar gjithsej nëntë raste të Virusit të Nilit Perëndimor, prej tyre shtatë raste gjatë vitit 2024 dhe nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. Rasti i konfirmuar sot është i pari për vitin 2026.
IKShPK ka theksuar se virusi nuk transmetohet nga personi te personi përmes kontakteve të zakonshme, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
IKShPK rekomandon që qytetarët të ndërmarrin masa të thjeshta parandaluese:
