Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Gazetari Ernest Luma padit RTK-në: Më larguan nga puna si në kohën e Millosheviqit

GD
Gazeta Demos14 tetor 2026 në 11:15
Ernest Luma padit RTK-në pas largimit nga puna: Më larguan si në kohën e Millosheviqit

Gazetari, Ernest Luma ka njoftuar se ka adresuar në Gjykatë padinë ndaj RTK-së, pas vendimit për ta larguar nga puna, më datë 28 gusht, vendim të cilin Luma e cilëson të ngjashëm me ish-regjimin.

Siç njofton Luma, vendimi kishte ardhur "ngase dikush diku nuk e ka duruar sarkazmën ndaj zhvillimeve ne vend", në shkrimet e tij.

I njëjti njoftoi se pas disa postimeve në rrjetin social Facebook, ishte inicuar një procedurë disiplinore nga u.d. kryeredaktori i RTK-Radios dhe ishte aprovuar më pas nga u.d. drejtori i RTK-Radios.

"Brenda pak ditësh dhe pa arsyetime të detajuara, vetëm duke aluduar shpejt e shpejt, se me postimet e mia kinse e paskam shkelur njëfarë neni në një rregullore të RTK-së, ma kanë përcjellur në e-mail vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me RTK-në", tha ai.

"Gjatë punës sime në RTK, konkretisht në RTK-Radio, në të gjitha pozitat e deritashme, jam angazhuar që me profesionalizëm dhe me paanësi t’i kryej përgjegjësitë e mia. Ndërkaq, postimet në faqen time në Facebook, konsideroj që janë personale dhe nuk kanë pasur të bëjnë me punën dhe angazhimin tim në RTK, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Gjithashtu, në ato postime unë askund nuk e kam përmendur RTK-në, as nuk jam nënshkruar si pjesë e RTK-së. Këto dy gjëra kanë qenë të ndara dhe rrjedhimisht nuk e kanë përzier asnjëherë njëra-tjetrën. Në postimet e mia, kryesisht me përmbajtje sarkastike, në asnjë moment nuk u jam adresuar personave apo personaliteteve të caktuara, nuk kam ofenduar askënd dhe nuk e kam linçuar askënd, ndërkohë që këtë e kanë bërë dhe e bëjnë përditë shumë të punësuar të tjerë në RTK (por, si gardianë të pushtetit aktual dhe si atakues të përditshëm të opozitës), ndaj të cilëve nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë", shtoi ai.

Sipas Lumës, vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës i ishte përcjellë përmes emailit, pa arsyetime të detajuara se si postimet e tij kishin shkelur rregulloret e RTK-së.

Ai e ka cilësuar vendimin si selektiv dhe diskriminues, duke pretenduar se edhe persona të tjerë të punësuar në RTK publikojnë opinione personale dhe bëjnë deklarime publike, por ndaj tyre nuk janë marrë masa të ngjashme.

Postimi i plotë:

RTK më largoi nga puna si në kohën e Millosheviqit!

Këto ditë e kam adresuar në gjykatë dhe në instancat tjera kompetente padinë ndaj RTK-së, pas vendimit të datës 28 gusht, sipas meje krejt të padrejtë, për largimin tim nga puna në këtë medium.

Vendimi kishte ardhur ngase dikush diku nuk e ka duruar sarkazmën ndaj zhvillimeve ne vend, në shkrimet e mia, dhe pas disa postimeve në rrjetin social Facebook ishte inicuar një procedurë disiplinore nga u.d. kryeredaktori i RTK-Radios dhe ishte aprovuar më pas nga u.d. drejtori i RTK-Radios.

Brenda pak ditësh dhe pa arsyetime të detajuara, vetëm duke aluduar shpejt e shpejt, se me postimet e mia kinse e paskam shkelur njëfarë neni në një rregullore të RTK-së, ma kanë përcjellur në e-mail vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me RTK-në.

Gjatë punës sime në RTK, konkretisht në RTK-Radio, në të gjitha pozitat e deritashme, jam angazhuar që me profesionalizëm dhe me paanësi t’i kryej përgjegjësitë e mia. Ndërkaq, postimet në faqen time në Facebook, konsideroj që janë personale dhe nuk kanë pasur të bëjnë me punën dhe angazhimin tim në RTK, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Gjithashtu, në ato postime unë askund nuk e kam përmendur RTK-në, as nuk jam nënshkruar si pjesë e RTK-së.

Këto dy gjëra kanë qenë të ndara dhe rrjedhimisht nuk e kanë përzier asnjëherë njëra-tjetrën. Në postimet e mia, kryesisht me përmbajtje sarkastike, në asnjë moment nuk u jam adresuar personave apo personaliteteve të caktuara, nuk kam ofenduar askënd dhe nuk e kam linçuar askënd, ndërkohë që këtë e kanë bërë dhe e bëjnë përditë shumë të punësuar të tjerë në RTK (por, si gardianë të pushtetit aktual dhe si atakues të përditshëm të opozitës), ndaj të cilëve nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë.

Mendoj se mendimi kreativ dhe shprehja e opinioneve personale në çështje të caktuara, në blogje e profile personale, që kanë të bëjnë me zhvillimet e gjithëmbarshme në shoqëri, janë e drejtë e patjetërsueshme e secilit në një vend të lirë e demokratik, që garanton lirinë e fjalës dhe të shprehjes së mendimit.

Gjithashtu, nuk jam i vetmi në RTK që plason në publik opinionet personale dhe në faqen personale, për zhvillimet shoqërore në fusha të ndryshme. Kjo ka ndodhë gjithmonë në të kaluarën.

Andaj, inicimi i procedurës disiplinore dhe më pas vendimi ekstrem për largim nga puna, në rastin tim, kanë qenë inicim dhe vendim i marrur në mënyrë selektive dhe krejtësisht diskrimues.

Në asnjë rast, opinionin tim personal, të prezantuar në rrjetet sociale, nuk e kam përzier me angazhimin profesional në RTK. Në asnjë rast nuk është dëmtuar reputacioni i RTK-së e as që është rrezikuar të dëmtohet ky reputacion, siç pretendohej në dokumentin e inicimit të procedurës disiplinore ndaj meje.

Në po të njëjtat nene e rregullore, në të cilat janë thirrur në vendimin për largimin tim nga puna, reputacioni i RTK-së është goditur dhe është dëmtuar gjatë këtyre viteve pikërisht nga përgjegjës të ndryshëm të RTK-së dhe pikërisht në hapësirat programore dhe editoriale të RTK-së, siç dihet edhe publikisht, dhe askush nuk ka marrë masa.

Reputacioni i RTK-së është goditur dhe është dëmtuar gjatë këtyre viteve pikërisht nga njerëz të RTK-së, duke goditur dhe folur për RTK-në në media të tjera (si shkeljet më të rënda, të sanksionuara me rregulloret e RTK-së), dhe askush asnjë masë s’e ka marrë ndaj tyre.

Komisioni Disiplinor i RTK-së, duke u thirrur në nene e rregullore që kinse i paskam shkelur me postimet e mia në rrjetet sociale, nuk ka dhënë as kurrfarë arsyetimesh shtesë se si i paskam shkelur ato dhe ku qenka dëmtuar RTK-ja, por kanë vendosur direkt masën e largimit nga puna.

Largimi im nga puna në RTK, fatkeqësisht më ka kujtuar vitet e largëta e të hidhura, 1989/90 të kohës së regjimit okupator të Millosheviqit. Atëbotë, qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga puna vetëm pse nuk kanë menduar si Millosheviqi dhe regjimi i tij. Si sot unë, në atë kohë, në mesin e të goditurve nga regjimi i Millosheviqit kanë qenë edhe të dy prindërit e mi, tash veteranë të arsimit.

Në historinë 27-vjeçare të RTK-së, largimi nga puna vetëm pse nuk mendon si regjimi, po ndodhë për herë të parë. Kanë ardhur e kanë shkuar qeveri të ndryshme në Kosovë, por nuk ka ndonjë rast tjetër të tillë në mediumin tonë publik, të cilin, me këto veprime, po përpiqen ta rregullojnë si medium ekskluziv të pushtetit.

RTK është medium i publikut dhe jo i pushtetit!

Gjithashtu, besoj dhe shpresoj se drejtësia në RTK dhe askund në vendin tonë nuk vendoset nga komisione të caktuara e të kurdisura aty për aty, por nga instanca kompetente dhe nga gjykatat, të cilat do të duhej të jenë mbi pushtetin dhe mbi klanet e mentalitetit të së kaluarës që secilin që nuk mendon si klanet e grupet e caktuara, e konsiderojnë të papërshtatshëm dhe armik të tyre.

P.s: Bashkëngjitur janë postimet, si lëndë me të cilat ishte inicuar dhe ishte vendosur largimi im nga puna në RTK.

lumartk-nëernest

Të ngjashme

Luma u largua nga RTK për shkak të postimeve në Facebook, Berisha: A i ka mbetur Albinit pikë fytyre, apo jo?

Luma u largua nga RTK për shkak të postimeve në Facebook, Berisha: A i ka mbetur Albinit pikë fytyre, apo jo?

11:53

Më shumë nga Lajme

  • 12:20Dosja e Prokurorisë: Geci kanosi Mehmetajn me fjalët “nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”
  • 12:08Shiroka-Pula: Synojmë anëtarësimin në NATO, KFOR-i të jetë mjet i drejtpërdrejt sigurie
  • 11:52Prokuroria kërkon paraburgim për Gani Gecin, seanca dëgjimore mbahet sot
  • 11:35Krerët e institucioneve prezentë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR’it
  • 11:26Familjet e dy punëtorëve nga Kosova që humbën jetën në Itali, dëmshpërblehen me 2 milionë euro