Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka shprehur shqetësimin për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj projekteve energjetike me mbështetje amerikane, duke paralajmëruar se vendi nuk duhet të izolohet nga zhvillimet strategjike që lidhen me politikën energjetike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.
Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Hasani tha se çështja e gazit amerikan nuk duhet parë vetëm nga prizmi ekonomik, por si pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike.
Sipas Hasanit, politika energjetike nuk mund të jetë çështje e interesave partiake, por duhet të trajtohet si një interes kombëtar dhe shtetëror. Ai tha se vendimet për furnizimin me gaz dhe projektet energjetike lidhen drejtpërdrejt me pozicionimin gjeopolitik të Kosovës në rajon.
“Çështja e gazit amerikan është çështje e politikës globale amerikane, është segment për Ballkanin. Kosova nuk guxon të mbetet jashtë. Dhe unë mendoj që edhe partitë opozitare duhet të jenë pak më dinamike, më të vëmendshme, më të ndërgjegjshme për këtë, sepse pushteti shihet qartë që ka pasur e ka rezerva ndaj secilës politikë të jashtme amerikane. Jo vetëm tash, por edhe në administratën e zotit Biden ka pasur mospajtime që e ofrojnë Kosovën, gati-gati, tek vendet që kanë politika aktive antiamerikane. Kjo është, si të thuash, gati ka ndezur drita e kuqe. Mund të ndodhë që edhe hiqet maska shumë shpejt. Dhe kjo është gabim. Pse? Sepse kjo është një çështje e orientimit gjeopolitik të Kosovës, që s’mund të jetë prerogativë e asnjë partie. Në qoftë se thua ti, unë do ta marr gazin prej Vlorës, pastaj shtrohet çështja: po ti pse me marrë? Se kjo është gjeopolitikë. E po merre atëherë prej Maqedonisë këtu në truall, më afër është”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se në mandatin e ri qeverisës do të planifikohet gazifikimi i qymyrit për prodhimin e energjisë, si pjesë e zhvillimit të teknologjive moderne energjetike dhe rritjes së sigurisë energjetike të Kosovës.
Mirëpo, këtë ide e kritikon Hasani, duke ngritur pikëpyetje për ndikimin e saj mjedisor dhe ekonomik.
Ai argumentoi se është e paqartë se si një projekt i tillë mund të justifikohet me argumente mjedisore, ndërkohë që më herët janë kundërshtuar projekte të tjera energjetike për shkak të ndikimit në ambient.
