Komunat e përfshira nga vërshimet e këtij muaji, ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve. Sipas zyrtarëve lokalë, procesi pritet të përmbyllet në fund të janarit. Tek u janë referuar të dhënave të deritashme, theksuan se kërkesat më të mëdha janë për kompensim të dëmeve në ekonomi familjare.
Në fund të janarit pritet që të gjitha komunat e prekura nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shiut në fillim të muajit, të përfundojnë procesin e vlerësimit të dëmeve.
Deri tani dëmet më të mëdha janë evidentuar në ekonomitë familjare, pasuar nga ato në biznese dhe në infrastrukturë.
Në Komunën e Klinës, deri më tani janë pranuar 220 kërkesa nga qytetarët për vlerësimin e dëmeve të pësuara nga përmbytjet.
“Ekonomitë familjare përbëjnë numrin më të madh të kërkesave për vlerësim. Bizneset edhe pse me numër më të vogël kërkesash, vlera financiare e dëmit është dukshëm më e lartë për shkak të shkallës së përmbytjeve. Në infrastrukturë janë konstatuar dëme serioze në shtratin e lumit, erozion të dheut, si dhe dëmtime të rrugëve me zhavorr dhe asfalt”, ka thënë Shendrit Gashi, koordinator i Komisionit për vlerësim të dëmeve në Komunën e Klinës.
Dëme të mëdha ka pësuar edhe infrastruktura në Komunën e Malishevës. Sipas autoriteteve, tri ura duhen ndërtuar nga e para.
“Shifra duhet të jetë shumë e madhe sepse u janë dëmtuar shumë pajisje qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre. Po ashtu edhe në biznese dëmi është i konsiderueshëm, por ashtu siç e thashë, dëmi shumë i madh është në infrastrukturë, përkatësisht në digë të liqenit në Mirushë, pastaj janë tri ura që janë të dëmtuara e që donë që komplet ndërtimi i ri të bëhet, por edhe nëpër rrugë ka dëmtime të mëdha”, ka treguar Artan Paçarizi, zëdhënës i Komunës së Malishevës.
