Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet pas shumë vitesh në veriun e vendit, tek Liqeni i Ujmanit për të ofruar ndihmë në misionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e trupit të mërgimtarit Rrahim Latifi i cili nuk arriti të dalë nga Ujmani pasi u hodh aty të dielën në mesditë.
Në lidhje me të gjitha zhvillimet e sotme, ka folur zëvendës drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se ishte kërkesë e Policisë së Kosovës që FSK-ja të vjen për asistencë.
“Procedura është e tillë që ne fillimisht vijmë në vend të ngjarjes, zakonisht ne qëllojmë të parët këtu pas qytetarëve dhe policët kanë qenë këtu në këtë parking kur ka ndodhë rasti. Ne i kemi kërku zhytësat që të vijnë, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, mandej nëpërmjet hierarkisë sonë komanduese, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë ne kërkojmë asistencë për zhytësa. Pastaj Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkon nga FSK-ja asistencën për zhytësa.”, tha Elshani.