Derisa për zgjedhjet e përgjithshme shtetasit e Kosovës që jetojnë në botë patën mundësi të votonin edhe në përfaqësi diplomatike, kjo nuk do të ndodhë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Mërgata mund të bëhet pjesë e votimit për zgjedhjet për kryetar komune e kuvende komunale vetëm përmes postës.
Detajet i ka shpjeguar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Risi në këtë proces zgjedhor, e cila vjen nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga reforma zgjedhore, ka të bëjë me aspekte organizative. Njëra prej tyre është organizimi i votimit jashtë Kosovës. Pra, në këtë proces zgjedhor për zgjedhjet lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të ketë votim vetëm përmes postës, nuk do të ketë votim në përfaqësi diplomatike, sepse ky ligj e specifikon qartë se kjo mënyrë e votimit nuk aplikohet në zgjedhjet lokale. Do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ do të hapë kuti postare në shtete të ndryshme”, tregoi Elezi në RTK.
Risi tjetër, sipas tij, është se për dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur votuesit kanë shkarkuar fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së, në këto zgjedhje secili votues jashtë Kosovës duhet të presë që të marrë pakon me fletëvotime nga KQZ-ja.
“Dhe kostoja do të mbulohet nga vetë KQZ-ja, pasi kështu është vendosur në Rregulloren Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Sigurisht kjo do të ketë një kosto dhe varet nga numri i shtetasve të Kosovës që do të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, e në bazë të kësaj do të dimë sa do të kushtojë”, tha zëdhënësi i KQZ-së.
Elezi tregoi se votuesi jashtë Kosovës do të mbulojë vetëm koston e dërgimit të pakos me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së, e që do të jetë minimale.
