Një person i kërkuar ndërkombëtarisht nga Policia e vendit është ekstraduar nga Franca në Kosovë, pasi ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Policia njoftoi në Facebook, se ekstradimi u realizua dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë përkatëse të Policisë dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas policisë, personi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e paraparë në nenin 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“I njëjti është dënuar me burgim në kohëzgjatje katër (4) vjet. Personi në shoqërim të zyrtarëve të ILECU-t, ka arritur në Aeroportin e Prishtinës, ku më pas nga zyrtarët e njësisë së sektorit, është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku është dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit për vuajtje të dënimit”.