Kriza e transportit në Ballkanin Perëndimor ka eskaluar këtë të hënë në një bllokadë të koordinuar rajonale. Shoferët e kamionëve në katër shtete të ndryshme kanë bllokuar terminalet doganore të mallrave, në shenjë proteste ndaj rregullave kufizuese të hyrjes në Bashkimin Evropian, të cilat po rezultojnë me dëbimin (deportimin) e shoferëve për tejkalim të ditëve të qëndrimit në zonën Schengen. Në dritën e këtyre zhvillimeve, komuniteti i biznesit në Kosovë ka ngritur alarmin këtë të hënë lidhur me ngërçin që, sipas tyre, përbën “rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.”
Institucionet përfaqësuese të bizneseve në Kosovë kanë reaguar ndaj pasojave që po sjellin protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, të cilat efektivisht kanë paralizuar eksportin dhe importin e mallrave drejt Bashkimit Evropian.
Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin se këto zhvillime po shkaktojnë “pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare.”
Sipas OEK-ut, bllokada ka ndikuar “drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.”
Oda, përmes Forumit Investues të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF) që drejtohet nga Lulzim Rafuna, i është drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në letrën e datës 20 janar 2026, ngrihet shqetësimi urgjent për ndikimin e rregullave të kufizimit të qëndrimit për shoferët profesionistë.
Sipas dokumentit, zbatimi i rreptë i rregullit “90/180 ditë” për shoferët po krijon ndërprerje masive. Sipas OEK dhe WB6 CIF, kjo masë po kufizon lëvizshmërinë e punës, duke çuar në reduktimin e kapaciteteve transportuese dhe rritje të kostove. “Mbi 60% e tregtisë së përgjithshme të rajonit zhvillohet me BE-në, ku transporti rrugor është dominues. Përafërsisht 370,000 kompani preken drejtpërdrejt nga këto veprime,” theksohet në letrën drejtuar kreut të KE-së.
Në argumentimin e tij, është theksuar se kjo qasje burokratike është në kundërshtim me objektivat e vetë Bashkimit Evropian. Aty thuhet më tej se kufizimet aktuale janë “jokonsistente me objektivat e Planit të Rritjes së BE-së (EU Growth Plan)” dhe vështirë të pajtueshme me përpjekjet për integrimin e rajonit në Tregun e Përbashkët Evropian.
