Edlira Zeka, bashkëshortja e gazetarit Milaim Zeka, ka reaguar ndaj deklaratave të deputeteve të Vetëvendosjes, Adriana Matoshit dhe Arjeta Fejzës, lidhur me gazetarin Zeka.
Zeka i ka kritikuar dy deputetet, duke thënë se ato po bëjnë rolin e prokurorit dhe gjykatësit ndaj një gazetari, ndërsa ka kërkuar që drejtësia ta bëjë punën e saj.
Ajo ka përmendur edhe raste të mëhershme kur, sipas saj, Matoshi ishte përballur me kritika dhe linçime publike, duke theksuar se në të kaluarën kishte dalë në mbështetje të saj.
“Ka 3 ditë që zonja të nderuara po bëjnë rolin e prokurorit dhe gjykatësit duke bërë thirrje të çuditshme për burg apo sapune ndaj gazetarit Milaim Zeka. Po e theksoj, GAZETARIT”, ka shkruar ajo.
Zeka ka kritikuar gjithashtu deklaratat e Arjeta Fejzës, duke ngritur pyetje lidhur me persona dhe raste që ajo i ka përmendur në shkrimin e saj.
Në fund, Edlira Zeka ka thënë se, pavarësisht kritikave, nuk dëshiron që gratë të shndërrohen në “vegla” politike për të larguar vëmendjen nga problemet e tjera.
Reagimi i plotë:
Përgjigje për dy burrneshat e VV!
(shënim i gjatë)
Tërheqja e vëmendjes drejt disa problematikave të shtisura, kur një vend, politikan apo një sistem përballen me kriza të forta, është një nga mekanizmat më të përdorura për ta zhvendosur “problemin” diku tjetër e jo tek thelbi i vërtetë.
Ka 3 ditë që zonja të nderuara po bëjnë rrolin e prokurorit dhe gjykatësit duke bërë thirrje të çuditshme për burg apo sapune ndaj gazetarit Milaim Zeka. Po e theksoj, GAZETARIT. Ndoshta do të duhej që Asociacioni I gazetarëve të Kosovës të reagonte për të tilla linçime, por meqë spo e bëjnë, po e bëj unë vetë, si gazetare.
Për Adriana Matoshin, mbaj mend vetëm 4 pasuese të jetës së saj.
Hera e parë ka qënë kur krejt shoqëria shqiptare e shanin dhe e poshtëronin, dhe po citoj: bushtra, e la babën e fëmijëve dhe fëmijët e vet rrugave, për një k@r zezaku. Unë në rrethet e mia ju thosha: dashuria ska as ngjyrë as logjikë. Lëreni gruan të lirë në zgjedhjet e veta.
Hera e dytë ishte me problemet e saj shëndetësore. Si femër, si grua, si prind, jam solidarizuar edhe publikisht me Adrianën. Çka të vjen nga Zoti, quhet sfidë, dhe jam sinqerisht e lumtur që ajo e ka tejkaluar këtë sfidë.
Hera e tretë, ishte kur i arrestuan vajzën 25 vjeçare për posedim narkotikësh, dhe e gjithe shoqëria e linçonte duke i thënë: a kjo qenka përfaqësuese e popullit aaa? Kur s’din me i eduku as fëmijët e vet, e po na dirigjoka neve?! E unë në rrethet e mia të shfajësoja ty Adrianë, duke thënë: mos i akuzoni prindërit për gabimet e fëmijëve të vet, sidomos kur janë mbi moshën 18 vjeç, të rritur, të vaksinuar dhe të vetëdijshëm për veprimet e veta.
Hera e katërt ishte kur në mes të krizës politike të Kosovës, Adriana bënte paradë mode para dyerve të Kuvendit të Kosovës. Prapë shoqëria e Kosovës, e linçoi me lloj lloj sharjesh e fyerjesh, dhe prapë unë si grua e si femër në atë solidarizimin tim naiv iu thosha: ajo është artiste, lëreni të shprehë artin e vet sikur thjesht edhe me veshje. Njeriu bën atë që di.
E tash, zonja Matoshi, po merret me sapuna burgu, globalisht e ditur se çfarë përfaqëson kjo në dijen popullore. A do të të kënaqte kjo? Milaimi e ka provu burgun e Jugosllavisë, por nuk arritën ta kthejnë në veglën e vet, as me e përdhunu siç iu ka ndodh disa kolegëve të partisë tënde, të cilët janë ende me trauma e pasoja nga ato vite të dhimbshme. Biles ata u është dasht me të tregu që një burrë i ka disa limite ku nuk duhet me u prek.
Njësoj sot edhe Arjeta Fejza, e cila ka shprehur habinë se si gazetari Zeka qenka ende i lirë. Arjetë, pse spo na tregon me kënd e ke udhëheq fushatën e VV në Finldandë? Me vllain e kujt? A është ende i lirë Lulzim Ademi nga Broboniqi i Mitrovicës? Mesa unë e di, ai tani jeton i lirë midis Beogradi, ku del edhe publikisht me intervista televizive dhe tregon se si e ka ndërruar emrin në Drazhan. Jeton pra në Beograd, oj patriote, pasi u arratis nga burgu i UNMIK-ut menjëherë pas përfundimit të luftës. UNMIK e arrestoi me akuza të kryerjes së masakrave ndaj shqiptarëve, që ti sot i përfaqëson në Kuvendin e Kosovës.
Shpresoj që këto dy gratë e VV të dinë dicka më shumë se prokurorët dhe gjykatësit meqë po shprehen në këtë mënyrë. E nëse e dinë, le ta thonë.
Ama si femër, e si grua, i lus të mos bëhen thjesht vegla për të hequr vëmendjen nga problemet reale të shoqërisë së Kosovës, e ta lënë drejtësinë të bëjë punën e vet.
A si bashkëshorte e Milaimit, pra jo si gazetare, dua t’ju them të dyjave: faleminderit shumë që do ma rrisni buxhetin e familjes kur të përballeni dhe dënoheni për akuzat e linçimit, denigrimit, fyerjes, nxitjes së urrejtjes, e çfarë tjetër të më bjerë ndër mend më tutje.
Ndërkohë për të tjerët : Le ta hedhë gurin, i pari që është i pamëkat.
P.s. Unë s’jam hiç burrneshë. I tutna shumë Zotit dhe Ligjit!