Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar ankesën e ish-Presidentit Hashim Thaçit kundër vendimit refuzues të gjyqtares së procedurës paraprake ndaj kërkesës së tij për veçim të procedurës dhe shtyrje të gjykimit derisa të përfundon rasti për krime lufte.
Veç kësaj, Thaçi kishte kundërshtuar edhe vendimin për konfirmim të aktakuzës ndaj tij, duke thënë se nuk është në përputhje me juridiksionin e DhSK-së. Edhe kjo ankesë, u hodh poshtë nga paneli i Apelit i përfaqësuar nga gjyqtarja Michele Picard, raporton “Betmi për Drejtësi“.
Thaçi kishte parashtruar se gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi gabimisht se “res judicata” nuk zbatohet në mes rastit të Thaçit për krime lufte dhe atij kundër administrimit të drejtësisë, duke u bazuar në faktin se ato nuk janë i njëjti rast dhe përfshijnë të akuzuar të ndryshëm dhe tjera vepra penale.
“Në vështrimin e Mbrojtjes, Gjyqtarja e Procedurës Paraprake duket se e ngatërron res judicata me parimin non bis in idem duke e kufizuar zbatimin e saj vetëm në “të njëjtat akuza”, ndërsa në fakt çdo çështje e përbashkët për dy vendime mund të përfshijë res judicata”, thuhet në vendim.
Thaçi përmes mbrojtjes së tij, ka thënë se ka arsye që kërkojnë veçimin e procedurës ndaj tij dhe shtyrjen e saj derisa të përfundojë rasti për krime lufte e po ashtu edhe për rrëzimin e akuzës në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Si rrjedhojë, mbrojtja ka shpjeguar se trupi gjykues në rastin për krime lufte tashmë ka pranuar materiale që janë marrë gjate hetimeve për pengim të dëshmitarëve, duke konstatuar se janë relevante për të konstatuar ekzistencën e një klime të frikësimit të dëshmitarëve. Andaj, mbrojtja ka thënë se pritet që të bëhen konstatime lidhur me këto çështje të cilat janë thelbi i akuzave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Në këtë linjë, mbrojtja e Thaçit ka thënë se ekziston rrezik real që në këto dy raste gjyqësore të bëhen konstatime të ndryshme faktike dhe nëse vazhdojnë paralelisht, do të shkelin të drejtën e Thaçit për siguri juridike dhe prezumimin e pafajësisë në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Këto pretendime të mbrojtjes së Thaçit i kundërshtoi Prokuroria, duke thëne se gjyqtarja e procedurës paraprake vendosi drejt dhe nuk bëri keqinterpretime të rregullave juridike.
“Në vështrimin e ZPS-së, Thaçi bën supozime hipotetike se Paneli Gjykues II do të nxjerrë konstatime të ardhshme që prekin përgjegjësinë penale të ngarkuar në Rastin 12”, thuhet në vendim.
Sa i përket parimit “Res Judicata”, Apeli ka thënë se nuk shtrihet në çfarëdo çështje që mund të merret në konsideratë një vendim gjyqësor, por zbatohet vetëm për çështje substanciale që janë plotësisht të shqyrtuara e të cilat janë thelbësore në zgjidhjen e çështjes.
Për këtë rast, Apeli ka konstatuar se ky parim nuk zbatohet pasi që nuk ka asnjë vendim përfundimtar as në rastin për krime lufte dhe as në atë kundër administrimit të drejtësisë.
“Paneli më pas i kthehet kërkesës së res judicata që duhet të ketë një vendim përfundimtar të çështjeve përkatëse nga një gjykatë kompetente për t’i vendosur ato. Paneli vëren se është një parim i njohur mirë se duhet të ketë një vendim përfundimtar mbi meritat e çështjeve mes dy rastesh që të aktivizohet res judicata. Paneli vëren se nuk ka aktgjykim përfundimtar as në Rastin 06 dhe as në Rastin 12 dhe për këtë arsye ky kriter nuk plotësohet”, thuhet në vendim i cili rrëzoi këtë pikë.
Thaçi kishte pretenduar gjithashtu se caktimi i gjyqtares Marjorie Masselot si gjyqtare e vetme për të gjitha çështjet hetimore para aktakuzës si dhe si gjyqtare e procedurës paraprake ka shkelur Nenin 33 të Ligjit për DhSK-në.
Veç kësaj, Thaçi përmes mbrojtjes së tij ka argumentuar se Masselot ka gabuar kur ka dhënë konstatime se ajo nuk është në gjendje që të rishkoikojë caktimin e saj si gjyqtare e procedurës paraprake.
“Sipas Thaçit përfshin dy gabime. Gabimi i parë, sipas Thaçit, është se në Paraqitjen Paraprake mbi Juridiksionin, ai ka kërkuar që Aktakuza e Plotësuar dhe e Konfirmuar të hudhet poshtë bazuar në pavlefshmërinë e caktimit të Gjyqtares Masselot si Gjykatëse e Procedurës Paraprake – dhe jo caktimin e saj si Gjykatëse e Vetme – dhe se Vendimi i Kontestuar mbi Juridiksionin nuk merret me këtë të fundit”, thuhet në vendim.
