Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen të hënën pritet ta vizitojnë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit po diskutojnë për sigurinë rajonale, institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, anëtarja demokrate e rangut më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa po qëndrojnë në Shqipëri.
Senatorja Shaheen gjatë qëndrimit në Shqipëri, tha se Tirana duhet të dijë se ajo që ndodh në Kosovë dhe Bosnjë ka ndikim edhe në stabilitetin e Shqipërisë, raporton REL.
“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu. Nëse stabiliteti është objektivi ynë, politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e tij”, tha ajo.
Gjatë qëndrimit në vendet e rajonit, senatorët do të takohen me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues diplomatikë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe liderë të rinj.

