Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas dështimit të seancës së Kuvendit Komunal, ku pritej të miratohej buxheti për vitin 2026, shkruan GazetaDemos.
Sipas Shehut, seanca e jashtëzakonshme e thirrur për këtë çështje nuk është mbajtur për shkak të mungesës së asambleistëve të AAK-së, të cilët, siç thotë ai, “kanë marrë urdhër nga Deçani për të mos marrë pjesë në votim”.
Në reagimin e tij, Shehu ka falënderuar dy asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Gacaferi dhe Eliza Pepshi, për pjesëmarrjen e tyre në seancë, duke theksuar se “kur është në pyetje interesi i Junikut, ata janë në krye të përgjegjësive të tyre institucionale”.
Ai ka shtuar se në buxhet ishte paraparë edhe rikonstruimi i rrugës së Zharres, ku ndodhet lapidari i heronjve Arif Gjocaj, Shkelzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi, ndërsa ka kritikuar kandidatin tjetër, Agron Kuçi, për “bllokimin e qëllimshëm të buxhetit të Junikut”.
Postimi i plotë:
Të dashur junikas,
Përtej bindjeve të ndryshme politike, ekzistojnë disa tema të cilat janë interes i përgjithshëm i Komunës sonë. Një nga këto tema është pikërisht buxheti i Komunës së Junikut.
Duke qenë se sot ka qenë afati i fundit sipas ligjit në fuqi për financat, në Kuvendin Komunal të Junikut është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës që është buxheti i Junikut për vitin 2026.
Fatkeqësisht seanca e Kuvendit ka dështuar në mungesë të kuorumit për shkak se nuk kanë marrë pjesë asambleistët e AAK-së në Junik. Nga reagimet e tyre publike dhe informacioneve tjera që kemi, asambleistët e AAK-së kanë marrë urdhër nga Deçani që të mos marrin pjesë sot në seancë dhe të mos votojnë buxhetin e Junikut. Pra sërish eksponentët nga jashtë po vendosin për fatin e Junikut dhe të junikasve.
Shfrytëzojmë rastin të falenderojmë dhe të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për dy (2) asambleistët z. Lulzim Gacaferi dhe znj. Eliza Pepshi të subjektit VETËVENDOSJE!, për pjesëmarrjen e tyre në këtë seancë sot. Pavarësisht dallimeve tona politike dhe partiake, e vlerësojmë lartë faktin se çdo herë kur fjalë për interesin e përgjithshëm të Junikut, z. Gacaferi dhe znj. Pepshi janë në krye të përgjegjësive të tyre patriotike dhe institucionale. Përballë interesit të Junikut ata i tejkalojnë bindjet e tyre, sepse Juniku është mbi partitë dhe mbi secilin individ.
Sidoqoftë, buxheti i Komunës së Junikut sot qëllimisht nuk është miratuar në Kuvend.
Në këtë buxhet sot, ka qenë i paraparë të realizohet rikonstruimi i rrugës së Zharres ku ndodhet lapidari i heronjëve Arif Gjocaj, Shkelzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi, vendi ku më datë 28 korrik 1998 kanë rënë në Altarin e Lirisë këta tre (3) heronjë të Junikut.
Prandaj disa nga pyetjet që qytetarët e Junikut po i’a bëjnë Agron Kuçit janë si në vijim:
Kur nuk e votuat buxhetin e Junikut sot, a u turpëruat para gjakut të heronjëve Arif Gjocaj, Shkelzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi? A keni menduar për pagat e punonjësve të Komunës së Junikut? Po për bizneset e Junikut dhe ekonomitë familjare a keni menduar? A është kjo politika juaj dhe përfaqësimi për të cilin po e kërkoni votën e junikasve sërish?
Agron Kuçi po e kërkon mandatin e tij të katërt! Mirëpo pyetja që lind është: Si po mendon Kuçi të bëhet kryetar duke e bllokuar qëllimisht buxhetin e Junikut? Apo ndoshta edhe ai e ka kuptuar se kurr më nuk do të bëhet kryetar i Junikut? Prandaj misioni i tij i vetëm ka mbetur që të dëmtoj junikasit dhe të punoj kundër interesave të Junikut, pa zgjedhur mjete apo mënyra.
Mirëpo Juniku nuk e duron dhe nuk e toleron këtë qasje të z. Kuçi. Për hir të gjakut të dëshmorëve dhe heronjëve tanë, si dhe për hir të së ardhmes së Junikut, me 9 nëntor ai do të merr përgjigjen e merituar nga të gjithë junikasit pa dallim në kutitë e votimit.