Nesër pritet të zhvillohet seanca e 52-të e Kuvendit të Kosovës, një seancë vendimtare pasi përmbush afatin kushtetues prej 30 ditësh, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në qendër të kësaj seance është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por situata mbetet e paqartë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.
Edhe pse kanë nisur bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe NISMA-s së Fatmir Limajt, llogaritjet aktuale tregojnë se janë siguruar vetëm 60 vota – një më pak se minimumi prej 61 votash të nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Një ndër figurat që mund të ndikojë në këtë proces është deputetja boshnjake Duda Balje, e cila ka deklaruar se nuk do të mbështesë Kurtin dhe nuk kërkon poste politike.
Balje thekson se ka pasur komunikim me Fatmir Limajn, por jo me Vetëvendosjen, dhe se vendimi i saj është i palëkundur: “Me Fatmirin kemi biseduar, por me Vetëvendosjen jo. Jam një person që nuk lëviz me vendimin. Ai e ka kuptuar arsyetimin tim.”, tha ajo për IndeksOnline.
Ajo thotë se ka marrë ofertë nga Limaj për të diskutuar mundësi, por nuk ka pranuar asgjë: “Jo kurgjo, veç ai (Fatmir Limaj v.j.) ka thënë: ‘a ka mundësi me bisedu, a don naj pozitë, a naj sen?’ – Unë s’du pozitë, s’du kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakët.”.