Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Skënder Hita, ka bërë të ditur se 167 persona janë arrestuar dhe 388 të tjerë janë proceduar penalisht gjatë pesë ditëve të protestave në Tiranë. Ai ka folur edhe për raportimet se Policia ka gjuajtje me plumba gome. Sipas tij, plumbat e gomës janë të lejuar, por në mënyrë të kufizuar.
Në një konferencë për media, Hita njoftoi gjithashtu se shtatë policë janë pezulluar nga detyra, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave.
Ai ka thënë se policët janë udhëzuar t’i zbatojnë procedurat standarde gjatë tubimeve të dhunshme, duke mohuar se kanë marrë urdhra për të vepruar në kundërshtim me procedurat dhe standardet e punës.




