Mbrojtja e Fadil Fazliut ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin në të cilin së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbrojtja e Fazliut thotë se besojnë që Gjykata Speciale do të vendosë duke u bazuar në fakte të besueshme dhe jo në spekulime. Presin që Fazliu të lirohet nga akuzat, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas dosjes së paraprake, mbrojtja e Fazliut pretendon se rasti i Prokurorisë siç është paraqitur në parashtrimin paraprak, bazohet në spekulime, materiale të paqarta dhe fakte jo të verifikueshme.
Mbrojtja thotë se asnjë provë e besueshme apo e drejtpërdrejtë nuk tregon se Fazliu u përpoq të merrte pjesë në ndonjë plan të përbashkët për të penguar drejtësinë ose të ketë ndihmuar në shkeljen e urdhrave gjyqësor.
Veç kësaj, mbrojtja e Fazliut ka thënë në dosjen paraprake të saj se e konteston dosjen paraprake të Prokurorisë sa i përket vizitës së Falziut tek Thaçi më 2 korrik 2023.
Sipas mbrojtjes, pjesët e cituara nga Prokuroria nga regjistrimet e audiove janë pjesërisht të padallueshme nga Qendra e Paraburgimit.
“Pjesët e cituara nga ZPS përbëhen nga regjistrime audio pjesërisht të padallueshme nga qendra e paraburgimit, ku deklaratat e supozuara janë të rëndësishme nga tregues të padëgjueshmërisë dhe pasiguria e transkriptimit, dhe lindin në kontekstin e bisedave mbi të gjitha llojet e temave, shumica prej të cilave nuk ishin aspak të lidhura me rastin. Këto materiale nuk provojnë, sipas standardit penal, se z. Fazliu ka tentuar të japë udhëzime, të bindë, ose të ndërhyjë tek Dëshmitari 1”, thuhet në dosjen e mbrojtjes së Fazliut.
Përveç kësaj, aty thuhet se pjesët përkatëse nuk tregojnë se Fazliu ishte dakord, e kishte ndërmend ose që ndërmori përsipër që të jepte udhëzime tek dëshmitari 1. Mbrojtja thekson se pretendimet e PZS-së mbi gjendjen mendore ose sjelljen e mëvonshme të Fazliut janë spekuluese dhe të pambështetura nga ndonjë provë e drejtpërdrejtë.
