Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik lidhur me dyshimet për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore për importin e lëndës së parë për prodhim.
Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe verifikimit pas zhdoganimit, zyrtarët kompetentë doganorë kanë realizuar kontrolle dokumentare dhe fizike tek një subjekt ekonomik i pajisur me autorizime për import të lëndës së parë të destinuar për proces prodhues, me përfitim të lirimeve nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Subjekti kishte realizuar importe të mallrave në vlerë totale mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim dhe të liruara nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas procedurës përkatëse.
Mallrat e importuara përfshinin gëzofë natyrale qengji të përpunuara për përdorim në prodhim si dhe materiale të tjera për prodhim të artikujve tekstil dhe aksesorëve prej lëkure.
Gjatë kontrolleve në lokacionet e subjektit janë evidentuar mospërputhje ndërmjet gjendjes faktike të mallrave dhe të dhënave të deklaruara në dokumentacionin doganor. Po ashtu, gjatë verifikimeve është konstatuar se një pjesë e mallrave të importuara nuk ndodheshin në depo, ndërsa dyshohet se ato janë transferuar tek një subjekt tjetër ekonomik që nuk gëzon të drejtën e shfrytëzimit të lirimeve doganore dhe tatimore për lëndë të parë.
