Zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë parandaluar futjen e një arme ajrore, e cila ishte e padeklaruar dhe e ndaluar për import.
Gjatë kontrollit të udhëtarëve, një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër, që nënkupton se nuk kishte mall për të deklaruar pranë autoriteteve doganore, është përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes pajisjes së skanimit.
Nga imazhi i paraqitur në skaner, zyrtari doganor ka evidentuar dyshime lidhur me përmbajtjen e bagazhit, me ç’rast është kryer kontrolli fizik. Gjatë kontrollit është gjetur një revole ajrore “FB Record”, e kalibrit .177, një (1) copë, e cila ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, me qëllim të fshehjes së saj.




