Petrit Rudi, djali i Fetah Rudit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas tubimit të partisë sonte në Prishtinë, ka falënderuar publikisht kryetarin Lumir Abdixhiku.
Rudi ka shkruar se “pas Presidentit historik Ibrahim Rugova, Lumir Abdixhiku ishte njeriu që dyert e zyrës së tij dhe telefoni i tij ishin gjithmonë të hapura për babin tim, Fetah Rudi. Jo për interesa, jo për favore, por për respekt ndaj një njeriu që ka dhënë shumë dhe ka paguar shtrenjtë për idealet e tij”.
Tutje, djali i Fetah Rudit ka shkruar:
Pavarësisht plagëve në trup, pavarësisht sakrificave dhe kontributit të tij ndër vite, ishte një kohë kur babi im u injorua nga ata që ishin në krye të LDK-së. Telefoni i kryetarit të LDK-së asnjëherë nuk ishte i hapur për babin tim.
Gjatë asaj periudhe, babi im shumë herë u largua nga lista e kandidatëve për deputet, gjithmonë në ditën e fundit të afatit ligjor për dorëzimin e listave zgjedhore. Shumë herë u përjashtua, shumë herë u nëpërkëmb, shumë herë u zhgënjye. Këto nuk ishin rastësi. Ishte përjashtim i qëllimshëm politik. Dhe sot, pas gjithë këtyre viteve, është e qartë pse ndodhi kjo.
Por mbi çdo zhgënjim, mbi çdo padrejtësi, erdhi një kohë tjetër. Erdhi një qasje tjetër. Erdhi Lumir Abdixhiku.
