Në akademinë përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë, djali i tij ka ndarë një dedikim prekës për babain, raporton Ekonomia Online.
Përmes një poezie të titulluar “Për ty, hero”, ai ka kujtuar babain e tij, duke folur për mallin, mungesën dhe kujtimet që, siç shprehet, nuk zbehen me kalimin e kohës.Ai tha se për të, Afrim Bunjaku nuk ishte fillimisht heroi i njohur për të gjithë, por mbi të gjitha ishte babai i tij, njeriu që i jepte siguri dhe e udhëhiqte në jetë.
“Për ty, hero
Sot po të flas, o babai im,
me mallin që s’di të shuhet,
me zemrën që të kërkon çdo ditë
dhe me dashurinë që koha s’e tret.
Më mungon dora që më udhëhiqte,
ajo dorë që më largonte frikën
dhe prania jote në çdo kohë,
si një strehë e sigurt në mes të stuhisë.
Për mua, para se të ishte hero,
ti ishte babai im i dashur,
forca ime,
drita ime, njeriu që ma mbushte botën me siguri.
Ti më mësove se atdheu dashurohet me vepra e guxim,
se nderi mbahet me sakrificë dhe fjala bëhet betim.
Sot me mall e krenari
emrin tënd e them më të lartë,
që ta dëgjojë toka e qielli,
që ta mbajë era nëpër male
dhe të mos shuhet kurrë në kujtesë.”