Në Ditën Botërore të Konsumatorit janë ngritur shqetësime për rritjen e vazhdueshme të çmimeve në Kosovë, mungesën e kontrollit në treg dhe ankesat e shumta të qytetarëve për koston e jetesës. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë thonë se konsumatorët po përballen me çmime të paqëndrueshme dhe me vështirësi për t’i përballuar shpenzimet ditore. Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha për KosovaPress se niveli i informimit dhe vetëdijesimit të konsumatorëve në vend varet edhe nga përmbushja e obligimeve që kanë institucionet ndaj tyre.
Ai kërkoi nga Qeveria të ketë një ministri të mbrojtjes së konsumatorit.
“Ne jemi aq të informuar, të edukuar me aq sa qeveria e përmbush mandatin e vet që është edhe kjo informimi, edukimi, arsimimi dhe krijimi i kushteve për arritjen dhe ngritjen e nivelit kulturor, konsumator në vazhdimësi si dhe vetëdijesimi që në këtë vazhdë ne të jemi edhe partnerë të shtetit.. 3:40 MINT-i e ka brenda saj Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, por që ky departament është në konflikt interesi, sepse ndodhet aty ku janë edhe bizneset ndaj të cilave ne shpeshherë kemi ankesa.. Të ketë ministri të mbrojtjes së konsumatorit, ose në kuadër të MINT-it, zëvendësministri të jetë dikush nga shoqëria civile e konsumatorit me të drejtë vetoje të të gjitha vendimeve që dëmtojnë qytetarin konsumator”, tha Kaçaniku.
Ai theksoi se një nga problemet kryesore mbetet politika e çmimeve dhe importet pa kontroll, për të cilat thotë se ka shumë ankesa nga qytetarët.
Kaçaniku kërkon që institucionet përkatëse të mos u shmangen obligimeve ndaj qytetarëve konsumatorë.
“Politikën e çmimeve e shikojmë shumë thjesht, por në të vërtetë është një shkelës i vërtetë. Importi pa kontroll, kam kërkuar nga Qeveria që në të gjitha ambasadat që ne kemi tregti të zhvilluar të kemi dhe përfaqësues tregtarë, konsultë që do ta përcjellë këtë sektor, por kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi shumë ankesa në cilësinë, sasinë, çmimin e importeve. Çdo produkt i importuar duhet të jetë më i lirë se në shtetin e origjinës. Ne kemi të kundërtën çmimet më të larta, cilësinë më të ulët e sasinë, kemi shumë probleme që duhet t’i marrim seriozisht. Qeveria nuk duhet t i shmanget obligimeve ndaj nesh”, shtoi ai.
Ndërsa, qytetarët konsiderojnë se ndryshimet e shpeshta të çmimeve dhe mungesa e rregullimit në treg po i rëndojnë gjithnjë e më shumë.
