Sot, ka qenë dita e fundit që Gjykata Speciale ka pranuar prova nga Prokuroria apo palët mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Kjo tregon se gjyqi i madh për katërshen e UÇK-së është para fazës përfundimtare.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami thotë ky proces ka qenë i komplikuar dhe i shoqëruar me “shumë shkelje të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”.
“Gjykata Speciale: mes të vërtetës dhe mashtrimeve”, është libri i botuar vitin e kaluar nga profesor Bajrami, i cili ofron një analizë kritike mbi funksionimin, legjitimitetin dhe ndikimin e Gjykatës Speciale në shoqërinë kosovare.
“Praktikisht sot përfundon koha kur edhe prokuroria por edhe palët mbrojtëse do të mund të dorëzojnë prova të shkruara apo prova video-incizime apo prova të tjera dhe pas ditës së sotit nuk ka prova të reja. Çka kjo tregon se procesi po konkludohet, po finalizohet dhe mbetet vetëm fjala përfundimtare. Tani është në trupin gjykues, në panelin gjykues që të vlerësojë secilën provë, të peshojë kredibilitetin e secilës provë, ta shohë relevancën, ta shohë lidhjen kauzale të provave, dhe duke besuar se këta janë gjyqtarët janë nën betim, që do të, janë betuar që do të respektojnë ligjin, jam thellësisht i bindur që në fund nuk ka epilog tjetër përpos një aktgjykimi lirues, sepse në fakt nuk është vërtetuar asnjë element i aktakuzës, një aktakuze e cila bazohet në një fiksion të një ndërmarrje të përbashkët kriminale”, deklaron Bajrami për KosovaPress.
Ndër tjera, akademik Bajrami thotë se trupi gjykues duhet të marrë parasysh provat bindëse të dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët gjatë dëshmisë së tyre kanë mohuar se UÇK-ja ka pasur strukturë organizative.
“Fatkeqësisht nga fillimi gjykata është shoqëruar me shkelje të njëpasnjëshme, me shkelje materiale, procedurale. Nuk ka respektuar standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë. Nuk ka respektuar fare institucionet e Kosovës, asnjë prej institucioneve të Kosovës nuk ka qenë partner i kësaj gjykate, derisa kjo gjykatë publikisht ka deklaruar se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Serbinë, në radhë të parë me Prokurorinë e Serbisë, por edhe me Shërbimin Sekret Serb i cili gjithmonë ka dhënë prova të fabrikuara. Dua të besoj që të gjitha këto prova duhet të vlerësohen si prova të një shteti armiqësor, të një shteti armik dhe gjykata do t’i hudhë komplet domethënë, komplet do t’i hudh. Nuk do të marrë për bazë as provat e dëshmitarëve të Serbisë, as dëshmitarëve të cilët janë përgatitur apo i kanë paguar, por do të bazohet në prova autoktone edhe do t’i marrë parasysh ato prova të cilat vijnë nga personalitete shumë kredibile botërore”, shprehet ai.
Doktori i shkencave juridike Bajrami thekson se pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
“Fjala përfundimtare është faza finale e një procesi të procedurës penale. Janë shumë të rëndësishme, sepse ne do të dëgjojmë rrëfimin përfundimtar të prokurorisë, e cila sigurisht që do të mbetet pranë aktakuzës dhe do të kërkojë dënime, dhe pastaj të gjithë të akuzuarit, përfshirë edhe avokatët e tyre, do të deklarojnë pafajësinë e vet dhe kjo do të jetë një momentum i konkludimit të këtij gjykimi, i cili ka shumë peshë sepse gjatë kësaj fjale, në fakt, mbrojtja me siguri do të ofrojë përsëri prova që prokuroria nuk arriti këto pesë vite absolutisht të dëshmojë apo të konfirmojë asnjë prej pikave të aktakuzës. Dhe secila pikë e aktakuzës mund të rrëzohet lehtësisht në qoftë se gjykata do të jetë plotësisht e përkushtuar në parimet e drejtësisë dhe jo në motive të tjera”, shprehet ai.
