Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësim të thellë për reduktimet e shumta të energjisë elektrike që, siç theksojnë ata, po ndodhin këtyre ditëve në të gjithë vendin.
Sipas Dhomës, këto ndërprerje po ndodhin në një periudhë kur bizneset tashmë përballen me pasojat e rritjes së çmimit të energjisë për 16.1%, si dhe me pasiguritë dhe dëmet e shkaktuara nga procesi i liberalizimit të tregut të energjisë.
DhTIK bën të ditur se ka pranuar dhjetëra ankesa nga biznese anëtare në të gjitha komunat e Kosovës për ndërprerje të paparalajmëruara dhe pa orar të caktuar, të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë prodhimin, kontratat eksportuese dhe stabilitetin e vendeve të punës, transmeton Klankosova.tv.
Ata theksojnë se bizneset që veprojnë në tregun e lirë, përkundër tarifave të larta që paguajnë, nuk po marrin furnizim të rregullt dhe të sigurt me energji – gjë që, sipas Dhomës, përbën shkelje të parimeve bazë të tregut të hapur.
