Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se ka kërkuar Institucionit të Avokatit të Popullit që të nis hetimet në lidhje me bllokadën që Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës ua kanë bërë një numri të madh të bizneseve sa i përket regjistrimit të automjeteve.
Në reagimin e tyre thuhet se, Dhoma ka pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e saj lidhur me një zbatimin e një paragrafi të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, respektivisht Neni 89, paragrafi 4, e cila ka filluar të zbatohet nga Policia e Kosovës, sipas së cilës ndalohet regjistrimi i çdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston qoftë edhe një gjobë e papaguar për ndonjë automjet tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt.
“Kjo praktikë ka filluar të zbatohet më datë 31.05.2025 nga Policisë së Kosovës, me ç’rast bizneset që kanë gjoba të papaguara, nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre pa i paguar të gjitha gjobat, pavarësisht se cili automjet është ndëshkuar, dhe kjo po ndikon në funksionimin normal të bizneseve, qarkullimin ekonomik dhe të drejtën për ushtrim të veprimtarisë së tyre”, thuhet në reagim.
Tutje, DhTIK vlerëson se me këto veprime është shkelur Neni 46, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se e drejta e pronës është e drejtë e garantuar. Pra, zbatimi i Ligjit nr 08/L-186 PËR RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR, Neni 89, paragrafi 4, i pamundëson pronarit të pronës, qasjen dhe shfrytëzimin e pronës, duke e bllokuar dhe pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij.
“Zyrtarët policorë e kanë mbështetur këtë praktikë në Nenin 89 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili rregullon ekskluzivisht ndalesat e parkimit të automjeteve në vende të caktuara dhe masat që ndërmerren kur shoferi nuk i përgjigjet thirrjes së Policisë me ç’rast konsiderojmë se është vendosje arbitrare e paragrafit 4 në nenin tematikisht të kufizuar.