Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, pasi pala mbrojtëse kërkoi shtyrjen e saj.
Sipas mbrojtjes, përkthimin në serbisht i deklaratës së dëshmitarit që ishte paraparë të dëgjohej sot, e kanë pranuar vetëm disa minuta para fillimit të seancës.
Avokati i palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, deklaroi se marr parasysh këto rrethana, mbrojtja nuk pranon që kjo seancë të vazhdoj.
“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, tha ai.
Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të bëhet për të mos vonuar procesin gjyqësor.
“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër,” tha ajo.
Avokati Milkoviq e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se dëgjimi i dëshmitarit nuk është i arsyeshëm në këtë fazë të procesit.
