Në këtë rast, të akuzuar janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.
Fillimisht, prokurorja speiale Florije Salihu-Shamolli tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet që arsyetojnë mundësinë e ngritjes së aktakuzës në mungesë, pasi që edhe pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të pandehurit kanë qenë të paarritshëm për Prokurorinë dhe janë plotësuar kushtet që Gjykata të fillojë shqyrtimet kryesore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kurse, gjykatësja Medie Bytyqi tha se Gjykata i ështe drejtuar Odës së Avokatëve të Kosovës për sigurimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit, mirëpo pasi OAK nuk e ka njoftu Gjykatën për listën e avokatëve që do të përfaqësojnë të pandehurit në këtë çështje penale, Gjykata e ka pasur të pamundur që avokatët t’i pajisë me aktakuzë sipas Kodit të Procedurës Penale.
Gjykatësja tha se meqenëse Gjykata është njoftuar sot në ketë seancë me secilin avokat të caktuar nga Oda, seanca u ndërpre për pak minuta, për t’ua shpërndarë aktakuzën.
