Për të parën e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, boshllëku institucional në vend nuk është thjesht një krizë procedurale, por një pengesë serioze për projektet strategjike – nisur nga reformat për integrim evropian, deri te marrëveshjet e mbrojtjes dhe ekonomisë me aleatët ndërkombëtarë.
Për Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, bllokada rezulton në “mundësi të humbura për Kosovën”.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej as këtë javë, përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi formimin e tij brenda 30 ditësh.
Ky afat do të rrjedhë deri më 18 shtator dhe nga ajo që ka deklaruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritjet janë që ai të respektohet.
Megjithatë, asnjë prej kandidatëve për kryeparlamentar, të propozuar nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori vota të mjaftueshme në vazhdimet e seancave më 20 dhe 22 gusht.
Seanca konstituive, që ka nisur qysh më 15 prill, por pa epilog për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive, do të vazhdojë sërish më 24 gusht.
Osmani tha se konsitutuimi i Kuvendit është “urgjencë shtetërore”.
Pse urgjencë shtetërore?
Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, thotë për Radion Evropa e Lirë se boshllëku institucional rrezikon “projektet që ndërlidhen me agjendën e reformave për zhvillim dhe integrim evropian, si dhe ato që synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin ekonomik”.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe Qeveria funksionale janë të domosdoshme edhe për realizimin e marrëveshjeve – përfshirë ato strategjike në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë, të cilat, siç thotë, Osmani i ka diskutuar me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Këto marrëveshje dhe angazhime janë mundësi unike për forcimin e sigurisë së vendit dhe rritjen ekonomike, e që kërkojnë institucione të konsoliduara për t’u zbatuar”, thotë Kupina.
Muajin e kaluar në SHBA, Osmani takoi zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, me të cilët tha se ka biseduar për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të ri ekonomiknë sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë informative.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si e sheh zvarritjen e formimit të institucioneve në Kosovë, edhe gjysmë viti pas zgjedhjeve parlamentare, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha se “Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar vendimin e saj” dhe “lidershipi politik duhet të punojë së bashku për të formuar institucione në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
“Populli i Kosovës pret që udhëheqësit e tyre ta përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, tha zëdhënësi.
“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqja të bëjë prioritete progresin dhe stabilitetin në dobi të të gjithë qytetarëve”, shtoi ai.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka deklaruar e “formimi i shpejtë i Kuvendit dhe i Qeverisë është thelbësor për Kosovën që të ecë përpara me reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”.
Nga ambasadat e vendeve të QUINT-it u përgjigj edhe ajo e Italisë, e cila shfaqi shpresën që “të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë”.
Drejt “anarkisë institucionale”?
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në Prishtinë, paralajmëron se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Kosova do të futet “në një terren të panjohur, që nuk i shihet fundi”.
“Ky terren e ka emrin ‘anarki institucionale’. Mos të harrojmë që brenda një kohe, ne mund të mos kemi numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj mbetemi në anarki totale”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.